Kush është Kreshnik Gashi, drejtori i ri i AKI-së?

0
64

Kreshnik Gashi është emëruar sot në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Kreshnik Gashi ka mbajtur pozita të larta institucionale në sektorin publik.

Nga fillimi i vitit 2016, ka qenë kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, gjatë së cilës kohë Kosova ka marrë kodin e telefonisë 383 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve. Ai ka udhëhequr ekipin profesional teknik në dialogun e Brukselit.

Para se të zgjidhej në krye të bordit të ARKEP ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës. Më herët ka qenë zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil si dhe më parë e ka udhëhequr komisionin e përhershëm qeveritar për sigurinë e hetimeve të aviacionit pranë Zyrës së Kryeministrit.

Ka përvojë në konsulenca për komisione ndërqeveritare në analiza dhe projekte të pjesëmarrjes së sektorit privat në atë publik. Ka punuar si ekspert i qeverisjes lokale në projekte të BE-së, si dhe është i trajnuar për qeverisje lokale. Ka menaxhuar disa projekte private në fushën e teknologjisë informative.

Gashi ka marrë pjesë në shumë forume, konferenca dhe takime të nivelit ndërkombëtar, si takimi i parë i të rinjve udhëheqës të Kosovës dhe Serbisë, organizuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Instituti Amerikan për Paqe, pjesëmarrës në forumin e të rinjve të Evropës dhe Azisë, etj.

Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Universitetin Cranfield në Mbretërinë e Bashkuar.

Përndryshe, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe në bashkërendim me presidentin, Hashim Thaçi, sot ka emëruar, Kreshnik Gashin, në postin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Ky emërim vije pasi që ditë më parë, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj kishte pranuar dorëheqjen e Shpend Maxhunit nga pozita e drejtorit të AKI-së.

Haradinaj kishte pohuar se Maxhuni ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore./kp/