“PDK dhe AAK duhet ta votojnë Qeverinë Kurti për t’i nxjerr nga loja shantazhuesit”

0
59

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me anë të një shkrimi analizon situatën në Kosovë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

KMDLNJ thekson se ka pritur që institucionet të formohen shpejt për faktin se VV dhe LDK ishin deklaruar për koalicion edhe parazgjedhor e që do ta lehtësonte koalicionin paszgjedhor për faktin se këto dy subjekte politike kanë fituar 50 përqind të vendeve në Kuvendin e Kosovës.

“Bisedimet për koalicion janë stërzgjatur dhe kushtëzuar për poste të caktuara e që po ndikon në dinamikën e formimit të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në shkrimin KMDLNJ-së.

KMDLNJ përmend edhe rinumërimet si dhe kundërshtimet e votave të ardhura nga Serbia e të cilat PZAP i k anuluar.

“Pasi KQZ shpalli rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 subjektet dhe kandidatët e pakënaqur me rezultate u ankuan në PZAP-ë pas së cilës votat nga Serbia u anuluan sikur që thuaja 1600 vendvotime do të dërgohen në rinumërim , nëse vendimin e PZAP-së e vërteton edhe Gjykata Supreme , pas shqyrtimit të ankesave eventuale”.

KMDLNJ mendon se votat e ardhura nga Serbia përbëjnë elemente të aktivitetit kriminal, falsifikim të të dhënave dhe janë krim i organizuar e që është toleruar në të gjitha zgjedhjet paraprake për të ruajtur pushtetin apo për të ardhur në pushtet, sidomos pas formimit të Listës Serbe.

“Tash, këto vota po kundërshtohen për faktin se janë përcaktuese , në njërën anë për fatin e koalicionit NISMA-AKR-PD dhe në anën tjetër krijojnë një situatë ku legalizohet shantazhimi për formim të koalicionit qeverisës duke e kushtëzuar LVV-në , si fitues i zgjedhjeve”, thuhet në shkrim.

Në vlerësimin e KMDLNJ-së në lidhje me këtë proces po ashtu theksohet standardi i ri demokratik i krijuar nga PDK dhe AAK, ku sipas tyre kanë pranuar menjëherë rezultatet dhe se “deklarsimi se do të bëhen opozitë konstruktive duke e ndryshuar pakëz përceptimin e krijuar për këto dy subjekte politike se me asnjë çmim nuk heqin dorë nga pushteti.

“Për këtë arsye KMDLNj mendon se pikërisht tani PDK dhe AAK janë para testit të radhës së pranimit dhe zbatimit të demokracisë. PDK dhe AAK duhet ta votojnë pa asnjë kusht qeverinë Kurti dhe me këtë do t’i nxirrnin nga loja shantazhuesit e paskrupullt sikur që do të kontribuonin në përshpejtimin e ndërtimit të institucioneve të Kosovës e që është edhe detyrim i një opozite konstruktive. Pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme, PDK dhe AAK duhet ta votojnë qeverinë Kurti, si votim teknik kurse me përpikmëri do të monitoronin programin qeveritar, gjithashtu nga pozita e opozitës konstruktive: gjatë çdo dështimi do të reagonin me të gjitha mjetet e lejuara demokratike kurse çdo përparim do ta përkrahnin”, thuhet në shkrim.

KMDLNj kërkon përgjegjësi nga anëtarët e KQZ-së dhe liderët politikë që zbatojnë standarde të dyfishta, kur kanë interes e përkrahin PZAP-in dhe Gjykatën Supreme kurse kur ndjehen se janë humbës në mënyrën më të paskrupullt e përbaltin punën e këtyre institucioneve duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë në marrjen e vendimeve.

Krejt në fund, për KMDLNj-në është i papranueshëm fakti se përkundër të gjitha lëshimeve me vota nga Serbia dhe rinumërimit të mbi 60 përqind të vendvotimeve askush nuk i është nënshtruar asnjë përgjegjësie në kohën që duhet të ketë edhe përgjegjësi penale.