Rama tha se do ta padisë për shpifje, reagon Ramush Haradinaj

0
56

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dje ka bërë me dije se do ta padisë për shpifje kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinajn, për deklaratën e bërë prej tij, kur tha se Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq do të merrnin 10 miliardë euro për ndarjen e Kosovës.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Rama tha se zyra e tij po përgatit padinë ndaj Ramush Haradinajt.

“Për 10 miliardëshin po përgatis, jo unë, unë kam një zyrë të posaçme të antishpifjes, dhe në Gjykatat e Kosovës, zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë. Por, një gjë di të them. Këtyre lloj politikanëve bravo ju qoftë që gjejnë dhe bëjnë. Domethënë, që t’i thuash një populli që ishin 10 miliardë në sofër dhe do ndaheshin midis këtyre të treve që ranë dakord të ndanin Kosovën, dhe të marrësh akoma vota, ata që votojnë për këtë lloj politike qofshin dhe këtyre bravo ju qoftë”, ka thënë Rama (në videon e mëposhtme gjithë këtë e keni nga minuta e 45-të).

Rama ka komentuar edhe dorëheqjen e ish-kryeministrit të Kosovës.

“Ky dha dorëheqjen medemek dhe është akoma atje. Është një person për të cilin jam detyruar për herë të parë, dhe shpresoj të jetë hera e fundit, që të dal publikisht edhe pse ishte Kryeministri i Kosovës, sepse gënjeu në mënyrën më të paskrupullt”, ka thënë Rama.

Pas paralajmërimit të Ramës, ka ardhur edhe reagimi i Haradinajt i cili u shpreh se nuk e kishte ndjekur deklaratën e Ramës, por ishte njohur me disa lajme nëpër portale.

Haradinaj është treguar i përmbajtshim në reagimin e tij, duke thënë se nuk ka asnjë koment për deklaratën e Ramës, por theksoi se qëndrimi i tij kundër ndarjes së Kosovës është legjitim.

“Sot kam parë disa tituj të portaleve në Kosovë. Por se kam përcjell direkt intervistën e tij. E kam shprehur qëndrimin tim në lidhje me refuzimin dhe kundërshtimin e ndarjes së territoreve, që ka qenë një maskim për ndarjen e Kosovës. Ajo do kishte pasoja të mëdha për planin politik të Kosovës dhe humbje të madhe për të. Rezervat më të mëdha në Europë gjendjen në Trepçë. Këto kanë qenë vendim legjitim i imi. S’kam koment për deklarata të tjera. Ai ka të drejtat e veta, ia respektoj. Unë i kam mbajtur ato qëndrime legjitime dhe vazhdoj t’i mbaj. Për Atdheun para se gjithash. S’dua të kaloj në qasje të tjera. I kam vëllezër kudo që janë shqiptarët, edhe të majtët dhe të djathtët. Detyra ime në mbrojtje të Kosovës, kjo është tokë e shqiptarëve, e të gjithë neve. Qëndrimi im kundër ndarjes është legjitim. I respektoj të gjitha të drejtat e kryeministrit, apo dhe të qytetarëve shqiptarë”, ka thënë Haradinaj për News24.