Rruga asfaltohet në Fushë Kosovë por shtylla elektrike nuk largohet, faji “jetim”

0
68

Edhe pse rruga është asfaltuar, në mes të saj, është një shtyllë elektrike. Ajo, aty nuk po largohet pasi që komuna e Fushë Kosovës si dhe KEDS-i, nuk pajtohen rreth përgjegjësisë së kush duhet ta largojë atë.

Edhe pse rruga është asfaltuar, shtylla elektrike ende nuk është larguar në rrugën “Hajrullah Zymi” të Fushë Kosovës.

Kjo po i pengon banorët e asaj pjese. Ata thonë se janë të rrezikuar, sidomos kur lëvizin me automjete.

Asfaltimi i rrugëve është pjesë e një projekti të komunës. Kështu ka bërë të ditur drejtori i urbanizmit në komunën e Fushë Kosovës, Abdulla Prebreza, përcjell Telegrafi.

Ai tha se që nga muaji qershor kanë kërkuar nga KEDS t’i largojë shtyllat elektrike në këtë rrugë.

“Ne kemi një kontratë për asfaltimin e rrugëve për Fushë Kosovë. Në mesin e këtyre rrugëve është edhe rruga “Hajrullah Zymi” në të cilën ndodhen disa shtylla. Komuna e Fushë Kosovës ka bërë më kohë disa kërkesa për dislokim të shtyllave. Por deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga ta”, thotë Abdulla Prebreza për RTV Dukagjinin.

E zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala në një përgjigje me shkrim ka thënë se dislokimi i shtyllës elektrike duhet të bëhet nga kërkuesi.

“Për sqarim, dislokimi ka kosto financiare dhe KEDS nuk mund ta dislokojë rrjetin në bazë të projekteve të bëra nga palët e treta. Atë barrë duhet ta bartë kërkuesi. Ne do t’jua ofrojmë të gjitha lehtësirat e mundshme që i kemi në dorë, pasi bëhet fjalë për një projekt në të mirë të komunitetit”, thuhet në përgjigjen e Viktor Buzhalës.

Komuna përveç largimit të shtyllës në rrugën “Hajrulla Zymi” ka kërkuar të largohen shtyllat edhe në rrugën “Albulena”.