Mospranimi e 4600 zarfeve me vota nga mërgata: VV e quan skandal

0
20

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Gjermani përmes një shkrimi të publikuar në faqen zyrtare Facebook, ka reaguar ndaj mospranimit të 4600 zarfeve me vota nga mërgata nga KQZ-ja, duke e quajtur si skandal.

“Këto zarfa janë dërguar brenda afatit ligjor, sipas rregullave të parashikuara nga ligji. Prandaj ato duhet të pranohen. Koha e mbërritjes është e parëndësishme, pasi ajo nuk varet nga vetë votuesit, por nga rrethana të paparashikueshme”, thuhet në reagim.

Tutje shkruhet se me mospranimin e këtyre zarfave me vota, KQZ-ja arbitrarisht ia mohon të drejtën e votës mijëra mërgimtarëve shqiptarë.

“Në të njëjtën kohë i pranon pa asnjë reagim zarfat me votat e serbëve, të cilat shkuan aty kundërligjshëm, jo me postë, po me transport manual, nga Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë.

Pra KQZ më lehtë pranoi votat e dërguara kundërligjshëm prej atyre që Kosovës i dërgojnë helm, se sa votat tona të dërguara tërësisht në mënyrë të ligjshme, nga mërgimtarët që Kosovës i dërgojnë veç ndihmë.

Ky veprim i KQZ-së na skandalizon. Shpresojmë ende që votat tona do të merren parasysh, dhe do të numërohen. Shpresojmë që institucionet e Kosovës ta ndalin diskriminimin e mërgatës shqiptare, sepse pa ne, ato institucione nuk do të ishin”.