KQZ: Rreth 35 mijë vëzhgues në zgjedhjet e së dielës

0
21

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 6 tetor (e diele).

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka treguar se sa është numri i vëzhguesve të akredituar për zgjedhjet e së dielës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 35 mijë vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjekte politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, OJQ vendore, Organizata Ndërkombëtare, media vendore dhe ndërkombëtare si dhe ambasada të ndryshme”, ka thënë ai.

Elezi ka treguar se subjektet politike kanë gjithsej 30 mijë vëzhgues të akredituar, organizata joqeveritare vendore kanë më shumë se 4 mijë vëzhgues, organizatat ndërkombëtare rreth 300, media vendore dhe ndërkombëtarë më shumë se 600 dhe ambasada rreth 600 vëzhgues.

Zgjedhjet parlamentare mbahen ditën e diele, qendrat e votimeve do të hapen në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Në këto zgjedhje, gjithsej numri i votueseve është 1,937,868, kurse në garë janë 25 subjekte politike.