Cakaj: Në OKB Shqipëria do të punojë për njohjet e Kosovës

0
20

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se Shqipëria në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara po punon për të siguruar njohje për shtetin e Kosovës.

“Gjatë takimeve të shumta në New York do të punojmë veçanërisht në shërbim të njohjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Teksa ka shkruar në Facebook për hapjen e punimeve të Sesionit të 74-të të Asamblesë së Përgjithshme, ai ka thënë se “Çështja qendrore e punimeve të këtij sesioni do të jetë bashkëpunimi shumëpalësh në funksion të zbatimit të objektivave të platformës për zhvillim të qëndrueshëm 2030”.

Postimi i plotë i Cakajt:

“Sot në hapjen e punimeve të Sesionit të 74 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara 🇦🇱😊🌍!

Çështja qëndrore e punimeve të këtij sesioni do të jetë bashkëpunimi shumëpalësh në funksion të zbatimit të objektivave të platformës për zhvillim të qëndrueshëm 2030. Ndër të tjera, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet angazhimit të përbashkët kundër varfërisë së skajshme dhe ekstremizmit të dhunshëm, përpjekjeve për arsim më cilësor e zhvillim ekonomik dhe bashkërendimit të qëndrimeve për përballjen me ndryshimet klimatike.

Marrë parasysh ambicjen e Shqipërisë për të siguruar vendin e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023, një pjesë e konsiderueshme e përpjekjeve të delegacionit shqiptar do të drejtohet pikërisht kah sigurimit të mbështetjeve politike të vendeve të ndryshme pjesëmarrëse për kandidaturën tonë 🤝!

Si bartëse e shumë nismave rajonale, anëtare e NATO-s dhe kryesuese e ardhshme e
OSBE-së, Shqipëria jo vetëm ka dëshmuar besueshmërinë e lartë në rrafshin shumëpalësh në përgjithësi por ofron edhe një program pothuajse të pazëvendësueshëm për vëndin e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në veçanti.

Gjatë takimeve të shumta në New York do të punojmë veçanërisht në shërbim të njohjeve të Republikës së Kosovës 🇽🇰🇦🇱!

Gjatë këtyre ditëve do të shfrytëzojmë rastin për zhvillimin e shumë takimeve në shërbim të çeljes së negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë në tetor… 🇪🇺✌’, ka shkruar Cakaj. /Telegrafi/