Vrella e Istogut me mungesë të ujit, Komuna premton investimin prej 200 mijë eurove

0
80

Ndonëse njihet si një ndër komunat që ka burime të ujit, fshati Vrellë e Komunës së Istogut, vazhdon të ketë mungesë të ujit të pijes dhe për ujitje të tokave. Nga Komuna e Istogut, thonë se kjo mungesë ka ardhur si pasojë e keqpërdorimit të ujit të pijes, teksa bëjnë të ditur se do të ketë investim në vlerë deri në 200 mijë euro.

Pavarësisht që ky burim ndodhet në fshatin Vrellë të Istogut, banorët e kësaj ane po vazhdojnë të përballen me mungesë të ujit të pijshëm.

Banori Ismet Vuthi thotë se Istogu ka burime të mjaftueshme të ujit, por ata po mbesin pa ujë për pije dhe ujitje të tokave.

“As para lufte e as tash pas lufte nuk është bërë ndonjë investim në këtë zonë. I kisha lut qytetarët që të kursejnë sa më shumë ujin, ndërsa komunarët mos të bëjnë premtime që nuk i realizojnë por të vijnë këtu e ta shikojnë gjendjen e mjerueshme pasi ne gjatë gjithë verës kemi mungesë të ujit”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ismet Vuthi.

Nga Komuna e Istogut, thonë se keqpërdorimi i ujit të pijes ka qenë një ndër problemet kryesore të mungesës së ujit.

Drejtori i Urbanizmit në Istog, Besart Dreshaj, tha se Komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ditëve në vazhdim do të fillojnë investimit që kap vlerën e 200 mijë eurove.

“Duke parë si prioritet kryesor nga kryetari Rugova, ne tashmë jemi në procedurat përfundimtare të prokurimit. Vlera e projektit do të jetë 200 mijë euro dhe do të jetë një projekt shumë i mirë dhe do të shfrytëzohet nga të gjithë qytetarët”, deklaroi Besart Dreshaj.

Sipas banorëve, fshati i tyre ka resurse të mjaftushme për ujë, por kanë munguar investimet në këtë vend.