Në Prishtinë përmbyllen trajnimet për zyrtarët komunal për procedurat e trajtimit të ndërtimeve pa leje

0
32

Në Prishtinë u mbajt punëtoria e fundit nga gjashtë gjithsejtë të zhvilluara në rajone të ndryshme të Kosovës dhe që kanë mbuluar të gjitha komunat. Qëllimi i këtyre punëtorive ishte shpjegimi i procedurave nga Udhëzimet Administrative të dala nga Ligji për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, të organizuara nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), përkatësisht Departamenti për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim (DPHNB), në bashkëpunim me Programin e USAID-it për Qeverisje Ekonomike në Kosovë.

“Sikurse në të gjitha punëtoritë edhe në Prishtinë, zyrtarët e DPHNB fillimisht shpjeguan aktivitetet në të cilat është angazhuar DPHNB dhe që kanë për qëllim lehtësimin e zbatimit të procesit të trajtimit të ndërtimeve pa leje, duke përfshirë aktivitetet e koordinimit me institucionet tjera siç është përgatitja e udhëzuesve të detajuar për procesin e trajtimit të ndërtimeve pa leje. Gjithashtu u prezantuan edhe procedurat e detajuara për trajtimin e kategorive të ndryshme të ndërtimeve pa leje.

Përfaqësuesit e Programit të USAID-it për Qeverisjen Ekonomike në Kosovë prezantuan skemat grafike të përgatitura nga ky program në bashkëpunim me DPHNB dhe që shpjegojnë fazat e ndryshme procedurale në mënyrë grafike”, thuhet në njoftimin për media.

Pas përfundimit të prezantimeve, u zhvillua një diskutim ndërmjet zyrtarëve komunal të pranishëm dhe zyrtarëve të DPHNB ku u ofruan sqarime lidhur me disa çështje procedurale të ngritura nga zyrtarët komunal. Gjithashtu u theksua se DPHNB do ti mbledhë të gjitha pyetjet dhe kërkesat për sqarim të ngritura gjatë të gjitha punëtorive të planifikuara dhe do të bëjë përpjekje maksimale për adresimin e këtyre çështjeve në udhëzuesit e detajuar të cilët janë në përgatitje e sipër.

Në gjashtë punëtoritë e zhvilluara këtë muaj morën pjesë mbi 200 zyrtarë komunal nga komunat e Republikës së Kosovës.