Veseli: Do të japin llogari ata që e zhdukën Xhavit Hazirin

0
49

Heroi i kombit Xhavit Haziri është një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ata që e rrëmbyen do të japin përgjegjësi.

Kështu tha Kadri Veseli, që ka udhëhequr legjislaturën e fundit të Kuvendit të Kosovës, në një akademi përkujtimore ku u kujtua dhe nderua jeta dhe vepra e heroit Xhavit Haziri, i cili u zhduk 21 vjet më parë.

Veseli tha se Xhavit Haziri me shokët e tij që kanë rënë në altarin e lirisë, ka rrëzuar një ndër perandoritë më të mëdha ushtarake në Evropë.

Ndonëse i munguar, ai tha se Xhavit Haziri asnjëherë nuk do të jetë i harruar.

“Nënëloke, faleminderit shumë, mbahu krenare për djalin që e ke rritur. I ke dhënë kombit tonë një djalë të fortë. Edhe atëherë kur pak kush ka guxuar të përmendë ‘Kosova Republikë’, djali yt së bashku me shumë shokë të vet, të cilët janë në altarin e lirisë, nuk u ndal, ka rënë në burg dhe nuk prapë s’u ndalë”… Xhavit Haziri është njëri nga themeluesit e UÇK-së… Lavdi e përjetshme veprës së Xhavit Hazirit. Ata që e kanë zhdukur do të japin përgjegjësi. Ne, kombi jonë s’ka për ta harruar asnjëherë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, do të jetë përherë i tillë, i lirë, për fëmijët tanë, për të rinjtë tanë dhe me perspektivë euroatlantike”, tha ai.

E me një historik të jetës dhe veprës të heroit Xhavit Haziri, u paraqit profesori Ibrahim Gashi, i cili tha se Haziri ishte një nga veprimtarët më të dëshmuar të UÇK-së.

“Xhavit Haziri është njëri nga veprimtarët më të përkushtuar dhe më të dëshmuar të Ushtrisë Çlirimtare. Ai qysh në moshë të re u aktivizua në organizata ilegale që luftonin për çlirimin dhe bashkimin kombëtar, duke qenë njëri nga udhëheqësit më të merituar të këtyre strukturave drejtuese të këtyre organizatave. Angazhimi dhe aktiviteti i tij për synimin dhe idealin e tij çlirimtar, është maksimal dhe i pandërprerë që nga viti 1985 e deri në momentin e rrëmbimit të tij nga kriminelët e UDB-së serbe, më 17 gusht 1998”, tha Gashi.

Në emër të familjes Haziri, të pranishmëve iu drejtua djali i heroit, Çlirim Haziri.

Ai shprehu falënderime ndaj kryetarit të komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi dhe skulptorit Ylber Krasniqi për ngritjen e shtatores së të atit, heroit Xhavit Haziri.

“Të flas për babanë këtu para jush nuk mendoj se më takon mua, sepse të gjithë këtu në këtë sallë e keni njohur më shumë se unë. Unë sot do të flas për një njeri që e njoh më mirë se ju të gjithë në këtë sallë. Ajo është një heroinë për mua, ajo është nëna ime. Dua ta falënderoj sot nënën time që me mund e sakrificë na rriti mua dhe vëllain tim Shqipërimin dhe asnjëherë nuk u dorëzua, nuk u lodh me ne… Asnjë dëshmor, asnjë hero i kombit nuk do të ishin ata që ishin, sikur mos të kishin përkrah vetes nëna e gra si nëna ime këtu”, u shpreh ai.

Ndryshe, Xhavit Haziri u lind më 3 shtator 1960 në Druar të Vushtrrisë. Ai është nderuar me urdhrin “Hero i Kosovës”.