Autostrada Nish-Prishtinë, rrugë drejt pajtimit

0
31

Autostrada Prishtinë – Nish, është projekt i rëndësishëm, pasi jo vetëm që tregon interesin e Serbisë për të zhvilluar infrastrukturën e saj, por tregon edhe dëshirën që të gjitha zgjidhjet t’i arrijë përmes kompromisit dhe punës së përbashkët, ka thënë ministrja e Transportit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajloviq, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Bankën Evropiane për Investime për ndërtimin e pjesës së autostradës prej Nishit deri në Merdare.

Një pjesë e opozitës në Serbi, e kritikon këtë projekt duke akuzuar qeverinë, që autostrada që çon në Kosovë dhe Shqipëri, nuk është në interesin kombëtar të Serbisë.

Ministrja Mihajloviq ka nënshkruar një marrëveshje të kredisë në vlerë 100 milionë euro për ndërtimin e autostradës Nish-Merdare me Miguel Morgadon, drejtor i Sektorit të Ballkanit Perëndimor në Bankën Evropiane të Investimeve. Gjithashtu, është nënshkruar edhe një kontratë ndihme prej 40.6 milionë eurosh.

Ky është një hap i vogël, por i rëndësishëm për rajonin, tha komisionarja për Transport e Bashkimit Evropian, Violeta Bultz, e cila mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.

“Po ashtu, ky projekt është një shembull konkret i bashkëpunimit dhe pajtimit gjithnjë e në rritje ndërmjet popujve, të Serbisë dhe atij të Kosovës”, tha Bultz.

Ndërtimi i autostradës së ardhshme Nish-Merdare me gjatësi prej 77 kilometrash duhet të fillojë në tremujorin e tretë të vitit 2020, sipas një njoftimi të Qeverisë së Serbisë.

Fillimi i punimeve ka të bëjë me rrugën e parë të autostradës nga Nishi deri në Ploçnik dhe, sipas ministres Mihajloviq, për këtë duhen dy vjet e gjysmë. Pjesa tjetër e parave, deri në 250 milionë euro, do të sigurohet përmes një kredie të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe buxhetit të shtetit serb.

Vlera e trasesë së dytë prej 44 kilometrash nga Ploçniku deri në Merdare, në kufi me Kosovën, do të kushtojë rreth 570 milionë euro.

Në anën tjetër, pala kosovaree ka përfunduar pjesën më të madhe të autostradës nga Prishtina në Merdare.

Autostrada Nish-Prishtinë-Merdare do t’i krijojë qasje Serbisë në portin shqiptar të Durrësit në Detin Adriatik. Ajo gjithashtu do të lidhë rreth gjysmë milioni qytetarë serbë që jetojnë në Pirot, Nish dhe Toplicë.

Autostrada Nish-Merdare-Prishtinë është një nga projektet e propozuar në kuadër të Procesit të Berlinit, një iniciativë diplomatike e nisur në vitin 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel, me qëllimin për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

“Lidhja me autostradë midis Beogradit dhe Prishtinës dërgon një mesazh se ekziston mundësia që shoqëritë që kanë qenë të përfshira në konflikt një ditë mund të vijnë deri te pajtimi”, tha Naim Leo Beshiri nga Instituti për çështje Evropiane.

Ai shton se ekzistojnë vlerësime serioze që kjo autostradë do të lehtësojë dhe shpejtojë tregtinë në vendet e rajonit.

“Kërkimet tregojnë se sa më mire të jetë infrastruktura e vendeve, kjo drejtpërdrejtë ndikon në përmirësimi e mundësive ekonomike. Atëherë, paqja afatgjatë në rajon do të ishte më shumë sesa thjesht një perspektivë”, tha Bashiri.

Në Kosovë thonë se kjo rrugë do të ishte e rëndësishme për transit, por që konteksti i marrëdhënieve me Serbinë pengon bashkëpunimin ekonomik.
“Kemi shumë barrier që kryesisht e pengojnë tregtinë, sidomos eksportin e produkteve tona në tregjet evropiane.

Kjo rrugë do të ishte transit i rëndësishëm, mirëpo nuk mund të ketë rol ekonomik nëse nuk hiqen pengesat që ekzistojnë me Serbinë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Ai thotë se Serbia pengon çdo sukses të Kosovës, përfshirë edhe atë ekonomik.

Beogradi dhe Prishtina kanë zhvilluar negociata për normalizimin e raporteve, mirëpo ato janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të tarifës së vendosur ndaj mallrave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës në përgjigje të lëvizjeve të caktuara të Beogradit, siç është bllokimi i Kosovës drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Negociatat lehtësohen nga Bashkimi Evropian.

Megjithëse ideja për një autostradë që lidh Nishin me Prishtinën dhe përtej me portin e Durrësit në Shqipëri, erdhi në një përpjekje për të lidhur rajonin, Qeveria serbe ka hasur në kundërshtim për këtë projekt.

Udhëheqësi i Partisë Popullore dhe ish-ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, tha se ndërtimi i autostradës për në Tiranë “nesër mund të jetë shtylla kurrizore e Shqipërisë së Madhe”.

Kryetari i Partisë Liria dhe Drejtësia, Dragan Gjilas, beson se kjo autostradë nuk është fitimprurëse.

Në Partinë Demokratike të Serbisë thonë se autostrada nuk u shërben interesave të Serbisë por atyre të Shqipërisë. Kjo parti i kërkoi Qeverisë serbe që të ndërpresë të gjitha aktivitetet për ndërtimin e rrugës.

Por, ministrja Mihajloviq u përgjigjet kritikave duke thënë se derisa opozita kritikon, “ne e lidhim Serbinë me rajonin”.

Naim Leo Beshiri mendon se kjo është mënyra më e keqe që opozita ka zgjedhur për të kritikuar qeverinë.

“Nuk ka asnjë mundësi që rruga të jetë kundër interesave të Serbisë. Kjo rrugë mund të jetë vetëm në interesin ekonomik, shoqëror dhe politik të Serbisë. Kjo rrugë krijon lidhje edhe për serbët, që jetojnë në Kosovë, të jenë në gjendje të vizitojnë të afërmit dhe të udhëtojnë nëpër Serbi shumë më lehtë dhe më shpejt”, thotë Bashiri.

Autostrada Nish-Merdare-Prishtinë do të jetë pjesë e rrjetit të transportit të Bashkimit Evropian.