5.8 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Analistët: Thellimi i ndarjes në VV, ka fragmentuar këtë parti

Thellimi i ndarjes në Vetëvendosje po vazhdon të nxitë reagime të brendshme në këtë subjekt politik. Dy ish-liderët Kurti dhe Ymeri, nëpërmjet Facebookut, kanë dhënë qëndrimet e tyre për situatën e krijuar. Kryetarët e Qendrave kanë kërkuar nga anëtarët e dorëhequr që të kthehen ne Kryesi dhe të diskutohet për të gjitha problemet. Por, analistët thonë se Vetëvendosje tashmë është e fragmentuar.
Kryesia aktuale e Vetëvendosjes ka vazhduar t`u bëjë thirrje anëtarëve të saj të cilët tashmë kanë dhënë dorëheqje nga kryesia dhe të gjitha funksionet partiake që të kthehen në struktura dhe të diskutojnë.

Kjo parti, përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se ka mbajtur takim me kryetarët e qendrave të lëvizjes.

Nga ky takim është bërë e ditur se është diskutuar rreth situatës së krijuar në Vetëvendosje pas dorëheqjeve të kryetarit të saj dhe disa anëtarëve të Kryesisë, si dhe për procesin zgjedhor për Kryetar të Lëvizjes.

“Kryetarët e Qendrave u njoftuan me kërkesën e Kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr që të kthehen ne Kryesi dhe të diskutojmë për të gjitha problemet. Ata e përkrahën kërkesën e Kryesisë drejtuar anëtarëve të dorëhequr por kërkuan që zgjidhja e problemeve të bazohet në Statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Mirëpo, pavarësisht thirrjeve të kryesisë që të dorëhequrit të kthehen për të diskutuar në forumet brenda partiake, asnjë nga ata që kanë dhënë dorëheqje nga funksionet në këtë parti deri më tani nuk kanë shprehur gatishmëri për t`iu rikthyer partisë. Madje në deklarimet e tyre publike, të dorëhequrit kanë theksuar se brenda Vetëvendosjes tani është instaluar logjika e diktatit dhe linçimeve andaj nuk është parë një gatishmëri e tyre për t`iu rikthyer dialogut të brendshëm.

Ish-kryetari i kësaj partie, tashmë i dorëhequr nga pozitat në parti, Visar Ymeri, ka thënë ditë më parë se ftesat e Albin Kurtit për diskutim nuk janë momente reflektimi pasi sipas tij, Kurti nuk ka shprehur keqardhje për linçimet që u janë bërë disa aktivistëve të cilët nuk janë pajtuar me zhvillimet në këtë parti.

Ndërkohë, kandidati për kryetar të kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, ka thënë se është i gatshëm të diskutojë me ata që kanë dhënë dorëheqje, siç është shprehur ai, pa inat dhe pa hakmarrje.

Mirëpo për analistin Imer Mushkolaj, Vetëvendosje tashmë është e fragmentuar dhe nuk mund të flitet më as për një grup parlamentar të homogjenizuar.

RTK ka provuar të marrë një qëndrim nga anëtarët që kanë dhënë dorëheqje nga funksionet partiake në Vetëvendosje, mirëpo asnjëri nga ta nuk ka pranuar të flasë nëse do të pranojnë ofertën e Kurtit për t`iu rikthyer debatit të brendshëm partiak.

Zyrtarët e kësaj partie, kohët e fundit kanë praktikuar vetëm formën e rrjeteve sociale për të dhënë qëndrimet e tyre për situatën e krijuar në këtë parti.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles