Site icon Prishtinapress

17 vjet nga fillimi i luftës në Maqedoni

17 vjet më parë, më 16 mars 2001, në Maqedoni kërciti pushka dhe kjo ndodhi dy vjet pasi lufta kishte përfunduar në Kosovë.

Për shkak të gjendjes së vështirë në të cilën jetonin shqiptarët në Maqedoni, ishte themeluar një tjetër ushtri, e cila do tentonte që me grykën e pushkës ta ndryshonte fatin shqiptar në ish-republikën jugosllave, aty ku elementi maqedonas prej dekadash ishte bërë dominant, e që në kushtet e reja të pavarësisë, e kishte thelluar akoma dhe më tej shtypjen e elementit shqiptar.

Shqiptarët që gjeografikisht duhej të jetonin në këtë vend, fillimisht përmes aktit më të lartë të një shteti në vitin 1991 i humbën të drejtat të cilat, formalisht, i gëzonin me kushtetutën e vitit 1974.

Edhe pse kushtetuta e vitit 1991 u miratua pa votat e deputetëve shqiptarë, rrjedha diskriminues shumëdimensional vazhdoi edhe më tutje.

Po ashtu në këtë kohë Maqedoninë e përfshiu: papunësia, varfëria e skajshme, korrupsioni, krimi ekonomik dhe krizat e njëpasnjëshme ekonomike, që kishin marrë përmasa të mëdha.

Si rrjedhojë e lodhjes dhe mosbesimit që ndonjëherë mund të jetojnë bashkërisht shqiptarët dhe maqedonasit, Ushtria Çlirimtare Kombëtare vendosi që çështjen ta çojë deri në fund.

Përmes krismave të kësaj lufte u sensibilizua dhe mobilizua edhe faktori ndërkombëtare (përskaj atij politik shqiptar), i cili përmes përpjekjeve të ngjeshura diplomatike ndërmjet faktorit politik në pushtet, krahut ushtarak dhe atij ndërkombëtar, arritën që kësaj lufte t’i japin fund, përfundimin e të cilës e rrumbullakuan në tavolinën e bisedimeve me negociata ndërmjet palëve të infiltruar në vorbullën e kësaj lufte.

Lufta çoi në marrëveshjen e Ohrit, që dhe sot është në diskutim, nëse është zbatuar e po zbatohet.

Dy ditë më parë është miratuar Ligji për gjuhët zyrtare, që është pjesa më e rëndësishme e kësaj marrëveshje, duke garantuar përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.

Exit mobile version