Site icon Prishtinapress

17 vite nga vrasja e Ismet Rracit, Eulexi e Prokuroria e gjuajnë “topin” te njëra tjetra

Sot 17 vite, në dalje të banesës së tij është vrarë ish kryetari i Klinës, Ismet Rraci. Ish anëtari i LDK-së ishte vrarë në kohën kur po nisej për në punë.

17 vite më pas, familja ende nuk ka përgjigje se kush është autori i këtij krimi. Indeksonline ka kontaktuar Prokurorinë për të mësuar se deri ku kanë shkuar hetimet e këtij rasti.

Në përgjigje thuhet se rasti është në kompetencë të Eulexit. Indeksonline ka kontaktuar Eulexin, por që të njëjtit kanë mohuar kompetencën.

“Rasti i vrasjes së ish kryetarit të Klinës,  Ismet Rraci është ndjekur nga një prokuror vendor në Pejë. Hetimet janë ndërprerë për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme kundër të dyshuarve. Për më shumë informata ju lutem drejtohuni në Zyrën e Prokurorisë Themelore të Pejës” thuhet në përgjigjen e Eulex.

Të lodhur e të zhgënjyer me përgjigje të tilla, janë familjarët e ish kryetarit të Klinës. Astrit Rraci, djali i të ndjerit ka thënë se shteti ka dështuar të nxjerrë para gjyqi urdhërdhënësit dhe autorët e krimit.

“Prokuroria, hetuesia dhe drejtësia e Republikës së Kosovës ka dështuar të nxjerrin para gjyqit urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimit” ka thënë Astrit Rraci.

Për këtë, djali i ish kryetarit Rraci ka akuzuar indirekt edhe LDK-në.

“Deri më tani kanë kaluar shumë qeveri e parlamente me përberje të ndryshme partiake, edhe përkundër faktit që asnjë vrasje politike nuk është zbardhur, kurrë nuk ka pasur as edhe ndonji masë për të thirrë së paku në përgjegjësi organet kompetente të sigurisë e drejtësisë për jo efikasitet. Ndoshta edhe mund të pajtohemi se një apo dy vrasje mund të mbesin të pa ndriçuara, por jo të gjitha?!”, ka përfunduar ai.

Exit mobile version